Armand Duka, Presidenti i Federatës së Futbollit ka dhënë një intervistë për UEFA-n, duke folur mbi rritjen e jashtëzakonshme të futbollit shqiptar nën udhëheqjen e tij, nga rindërtimi i infrastrukturës sportive të vendit deri te “utopia” e kualifikimit për dy faza finale të EURO-së.
Shqipëria dhe Serbia do të bashkorganizojnë turneun final të Europianit Under-21 në vitin 2027. Si i keni hedhur themelet për aplikimin si vendorganizues? Çfarë ndikimi do të ketë ky turne në sport dhe shoqëri?
Fillimi i aplikimit ka qenë individual, por me një lloj pragmatizmi rrugës vendosëm të bashkonim kandidaturat me Federatën e Serbisë për të pasur më shumë shanse që ta fitonim organizimin e këtij turneu. Shqipëria nuk ka organizuar kurrë më parë një turne sporti të një niveli kaq të lartë. Ne do të presim finalet e Kampionatit Europian U-17 në maj këtë vit, që gjithashtu është një kompeticion i rëndësishëm, por pritja e finaleve të Kampionatit Europian U-21 është një nivel shumë më i lartë. Benefitet e Shqipërisë janë të shumta, që nga pjesëmarrja e Kombëtares tonë U-21 për herë të parë në finalet e një Europiani e për të vijuar me përmirësimet në infrastrukturë që do të sjellë ky turne.
Do të ketë përfitime ekonomike veçanërisht në drejtim të turizmit. Në fund, por jo për nga rëndësia, mendoj se mesazhet që ne i japim botës me këtë organizim janë shumë të mëdha. Kampionati Europian U-21 2027 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli. Do të shërbejë si nxitje për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Ballkanit dhe do të tregojë se çfarë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit.
Për të arritur në stadiumin e ri kombëtar, tifozët ende kalojnë përmes hyrjes qendrore origjinale të ndërtuar në vitin 1930. Çfarë nuk duhet të harrojë futbolli shqiptar për të kaluarën e tij dhe cili është sfida më e madhe për të ardhmen?
Ne jemi krenarë që kemi ruajtur një pjesë të historisë sonë përmes hyrjes monumentale të stadiumit kombëtar, e cila qëndron si një simbol i trashëgimisë sonë futbollistike. Por historia jonë nuk ndalet aty. Brenda stadiumit, çdo vizitor mund të gjejë të gdhendur emrat e të gjithë futbollistëve që kanë veshur fanellën e Kombëtares ndër vite. Ky është një homazh për ata që kanë dhënë kontributin e tyre dhe një burim frymëzimi për brezat e ardhshëm.
Sa i përket sfidës më të madhe për të ardhmen, për ne si Federatë është e qartë: synimi ynë është të dyfishojmë numrin e fëmijëve dhe të rinjve që luajnë futboll në Shqipëri, sepse e ardhmja e futbollit ndërtohet nga baza. Ndërkohë, për tifozët tanë, ëndrra më e madhe mbetet pjesëmarrja e Shqipërisë në finalet e një Kampionati Botëror – një objektiv që na motivon çdo ditë për të punuar më fort dhe për të ndërtuar një të ardhme edhe më të ndritur për futbollin shqiptar.” Përfundoi Armand Duka.
LEXO ME SHUME:Atmosferë festive para ndeshjes me Anglinë, FSHF surprizon dy lojtarët e Kombëtares (ARSYEJA)
1 comment
Comments are closed
Add Comment