Trajneri i Tiranës, Ardijan Nuhiu, theksoi se ekipi i tij kishte bërë mirë ndaj Elbasanit, teksa preferoi të mos komentonte penalltinë dhe largimin nga fusha.
“Mënyra se si rrodhi ndeshja, në fillim ishte për Elbasanin se ka skuadër të fortë realisht dhe ka bërë kampionat të mirë, patjetër je i kënaqur me një pikë. Por për mënyrën si rrodhi ndeshja, të mbetet peng që nuk morëm tre pikë, se neutralizuam forcat e kundërshtarit, një skuadër që qëndronte shumë mirë në aspektin taktik. U munduam t’i kapim në kundërsulm dhe kishim rastet tona. Sa i përket penalltisë, ta vlerësojnë organet kompetente. Më vjen keq se çunat po vdesin në fushë, po bëjnë sakrificë për të kapur rezultatet.
Kthimi mbara? Ndoshta të detyron rezultati, se do të mbrosh atë që morëm gjatë ndeshjes. Pa vetëdije, nuk është se tërhoqëm skuadrën, por duke parë kudnërshtarët me futbollistë cilësorë, që e kërkoi barazimin me tre sulmues, i kërkuam Rafa të ndihmonte mbrojtësit tonë se na shtypën shumë. Penalltia na destabilizoi, por u qetësua skuadra dhe reagoi mirë pas barazimit. Ishte një rast me Voglin, por edhe Tabeku që doli ballë për ballë me portierin.
E filluam se kishim analizuar kundërshtarin dhe Elbasani ka luajtur me 4-2-3-1 dhe iu përgjigjem në atë formë. Në momentin që kanë ndryshuar skemën, e kisha të freskët si me Vllazninë dhe sot i paralajmërova. Kur pamë kush luajnë futbollistë dhe i paralajmërova që mund të ndryshojë skemën, na rezultoi pozitive. Derisa nuk lejon një skuadër të tillë në aspektin ofensiv, nuk i lejon të krijojnë raste, është merita e futbollistëve.