“Keqardhje që nuk do të festoj Superioren”, Agostinelli me shumë pengje për shkarkimin: Nuk dua të bëj polemika me Idrizin, por…

Andrea Agostinelli

Andrea Agostinelli është i bindur se Flamurtari do t’i fitojë 2 ndeshjet e fundit dhe do të ngjitet direkt në Superiore. Pavarësisht humbjes me Besën, italiani thekson se diferenca 1 pikë i favorizon vlonjatët. Ish-trajneri thotë se ende nuk kupton pse e larguan 4 javë para mbylljes së kampionatit. Ai shpreh keqardhjen që nuk do të jetë në Vlorë të festojë me skuadrën ngjitjen në elitë.

RREZIK SUPERLIGA– Jo, unë nuk mendoj kështu. Flamurtari ka një diferencë me një pikë nga Besa. Kjo është shumë e vlefshme dhe i jep avantazh ndaj rivalit. Flamurtari do t’i fitojë dy ndeshjet e fundit për t’u ngjitur në elitë në mënyrë shumë komode. Ky do të jetë edhe suksesi im, pasi e drejtova për shumë ndeshje Flamurtarin. Shpresoj që djemtë t’ia dalin në këtë garë dhe të arrijnë objektivin madhor të klubit. Jam i bindur që ekipi do t’i fitojë dy ndeshjet e fundit, por mua do të më vijë pak keq…

KEQARDHJE- Djemtë do t’ia dalin dhe do të festojnë. E vetmja gjë për të cilën më vjen keq në këtë situatë, është se unë nuk do të jem aty e të festoj me ata suksesin, që është edhe imi. Flamurtari do të ngjitet në elitë, por më vjen keq që nuk do të festoj me tifozët, futbollistët dhe qytetin. U dashurova shumë me Vlorën, klubin dhe njerëzit aty.

SHKARKIMI-Pa bërë polemika me presidentin Idrizi. Unë jam në Itali pranë familjes, por në këto ditë janë të shumtë njerëzit që më marrin në telefon dhe më pyesin se përse u largova nga Flamurtari. Nuk ka pasur asnjë debat mes meje, presidentit apo klubit. Nuk e di çfarë ndodhi. Unë kisha një rezultat shumë pozitiv. Në 29 ndeshje, kishim 21 fitore, 5 barazime dhe 3 humbje. Ishim 6 pikë më shumë, që do të thotë se do të kalonim direkt në Superiore pa bërë ndeshje shtesë. Asnjëherë nuk e kam menduar dështimin me Flamurtarin. Këto shifra nuk mund ta shkarkojnë një trajner. Më erdhi si një rrufe në qiell të hapur. Para ndeshjes me Pogradecin që e humbën, kemi luajtur 15 ndeshje me 12 fitore dhe vetëm 3 humbje. Në 4 ndeshjet e fundit arritëm 3 fitore dhe vetëm 1 barazim.

RIKTHIMI NË SHQIPËRI-Pse jo. Unë me shumë kënaqësi do të rikthehesha të drejtoja në Shqipëri. Kam drejtuar edhe në Maltë e Kongo. Në Shqipëri më kanë thirrur tri klube të rëndësishme dhe jam i hapur nëse klubet e tjera do të dëshironin të më kenë mua trajner. Do të vija me kënaqësi. Përfundoi Andrea Agostinelli.

Related posts

E BUJSHME! Mesfushori mund të largohet në qershor nga Egnatia, ngecin bisedimet për rinovim (FOTO)

Partizani, dy lojtarë në garë me kohën për sfidën ndaj Bylisit (EMRAT)

Ndodh me klubin e Superiores, lojtarët nuk dalin në stërvitje, priten pezullime