Trajneri i Flamurtarit, Andi Ribaj, foli pas barazimit 1 me 1 në shtëpi, ndaj një rivali direkt si Vora. Në prononcimin e dhënë për emisionin “Super Gol”, tekniku i skuadrës kuqezi deklaroi:
“Ne ishim futur për të fituar, por si në ndeshjen me Tiranën, pësuam një gol sa filloi loja dhe pastaj gjithçka prishet, e filluam ndeshjen në disavantazh. Rastet i patëm të gjitha, futbolli i tillë është. E mbajtëm në gjysmëfushën e tyre Vorën. Edhe në pjesën e parë bëmë futboll të mirë, por nuk ia dolëm.
Ne menduam edhe gjatë javës, edhe në analizë, iu thashë që t’i sulmonim nga linjat anësore. Ishte cilësi e Diavarrasë, një aksion individual, që shënoi gol.
U munduam që të luanim me krahët, në pjesën e parë u munduam nga krahu i majtë, në pjesën e dytë ndryshuam sistem për të qenë sa më të shumtë në zonë, për të shënuar gol. Bëmë maksimumin, por ndeshja përfundoi në barazim.
Loja ka shumë dinamika, Bintsuka në fazën difensive kthehet në mbrojtje. I thashë që të rrinte në gjysmë linjat e qendrës, mos rrinte i hapur në krahë.
Më vjen shumë keq sepse djemtë po luajnë, pësojmë gola për mungesë përqendrimi. Në minutat e para duhet të jemi shumë të vëmendshëm. Edhe me Tiranën pjesën e dytë e bëmë të mirë. Sot gjatë gjithë lojës mendoj që kemi bërë ndeshje shumë të mirë”, deklaroi Ribaj.