Vuçiç ndez përballjen me Shqipërinë, kërkesa që ka për trajnerin serb: Shko në Tiranë dhe mposhti ata (video)

Aleksandër Vuçiç

Aleksandër Vuçiç ndez supersfidën Shqipëri-Serbi. Pak ditë pasi mori pjesë në samitin e Tiranës, ku u ul në tryezë me liderët e Europës dhe u prit nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, zgjodhi një tjetër skenë për t’i dhënë një “urdhër” simbolik trajnerit të kombëtares serbe, Dragan Stojkoviç, që ta mundë Shqipërinë në ndeshjen e 7 qershorit, duke treguar se pas buzëqeshjeve diplomatike, rivaliteti i vjetër jeton ende në fushë.

Në një tubim të partisë (SNS), Vuçiç falënderoi publikisht trajnerin e kombëtares serbe të futbollit, Stojkoviç, për mbështetjen e tij të hapur politike.
Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte një deklaratë me tone të ashpra sportive, që në thelb mbante një ngarkesë politike: “E pashë pak më parë dhe tani e shoh që është këtu, ju lutem duartrokitni fort trajnerin serb Dragan Stojkoviç, një legjendë e Nishit, i cili nuk u fsheh si shumë të tjerë dhe erdhi të jetë me ne këtu. Në qershor luani atje kundër Shqipërisë, për t’i mposhtur ata!”, tha Vuçiç nga skena, me një mesazh që i ngjante më shumë një urdhri sesa një urimi.

Gjatë asaj kohe, Stojkoviç i buzëqeshi dhe përtypi çamçakëz, ndërsa kamerat ishin të drejtuara nga ai. Deklarata e Presidentit vjen pikërisht në prag të ndeshjes Shqipëri-Serbi, që do të zhvillohet më 7 qershor, një përballje gjithmonë e ndjeshme për shkak të historisë së tensionuar mes dy vendeve.

Në këtë sfond, deklarata e Vuçiç bën kontrast të fortë me tonin e matur që e shoqëroi gjatë samitit të Tiranës. Duket se diplomacia e buzëqeshjeve nuk e zëvendëson dot plotësisht gjuhën e vjetër të rivalitetit, sidomos kur hyn në lojë sporti, një arenë ku emocionet kombëtare shfrytëzohen shpesh si mjet për përforcim të mesazheve politike.

Related posts

Egnatia bën një tjetër mrekulli, dy lojtarë drejt shitjes në janar për shumën e bujshme

Tifozët hynë në fushë dhe goditën lojtarët, Disiplina “godet” Flamurtarin, masa të ashpra edhe për drejtuesin e Vorës

“Rrufe në qiell të hapur”, klubit të Kategorisë së Parë i largohet trajneri

Comments are closed

Add Comment