Albin Kurti ngre alarmin: Radoiçiç po riorganizon një sulm të ri terrorist!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se ish-kreu i Listës Serbe, Millan Radoiçiç po organizon një tjetër sulm terrorist në Rashkë të Serbisë.

Kurti shkruan në Facebook se më 10 nëntor, Radoiçiç ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova, ku sipas kryeministrit është kërkuar mobilizim për votim të partisë-shtet në Serbi, SNS

Kreu i qeverisë së Kosovës gjithashtu shkruan se KFOR-i, EULEX-i dhe BE-ja, duhet të dalin me raport publik e zyrtar ku ia atribuojnë Serbisë aktin e agresionit dhe krimin e terrorizmit, dhe ku dënohet riorganizimi i grupit të Radoiçiçit.

POSTIMI

Në Rashkë të Serbisë, po ngjan riorganizimi paramilitar e terrorist i Millan Radoiçiç dhe grupit të tij, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë. Të premten e 10 nëntorit, ai ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova.

Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviçit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë.

Gjatë këtij takimi përveç deputetëve të Listës Serbe, kanë marrë pjesë edhe kryetari i ri i saj Zlatan Elek dhe nënkryetarët, Dragisha Milloviç dhe Dalibor Jevtiç.

Aty është kërkuar mobilizim për votim të partisë-shtet në Serbi, SNS, në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Ata që janë në listë të rrogave janë kushtëzuar me to, ndërkaq për të tjerë janë ofruar vende pune në periudhë 3 dhe 6 mujore.

Millan Radoiçiç, pas sulmit terrorist të kryer në veri, u lirua brenda ditës që të vazhdonte veprimtarinë e tij paramilitare e terroriste në shërbim të politikës shtetërore të Serbisë kundër Kosovës. U bënë pesë muaj pas rrëmbimit në Leposaviq të policëve tanë kufitar Rifat Zeka, Beqir Sefa e Shemë Mustafa dhe tetë javë nga vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

KFOR-i, EULEX-i dhe BE-ja, duhet të dalin me raport publik e zyrtar ku ia atribuojnë Serbisë aktin e agresionit dhe krimin e terrorizmit, dhe ku dënohet riorganizimi i grupit të Radoiçiçit.

Edhe pas presionit ndërkombëtar, Serbia ende nuk ka tërhequr të gjitha trupat dhe artilerinë nga afërsia e territorit të Kosovës. Ajo vazhdon të kërcënojë sigurinë e Republikës së Kosovës me bazat e përparme operuese të Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën.

Kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë. Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, për ta defokusuar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve sipas projektit “Bota Serbe”, të Vulinit e të Vuçiçit.

Mungesa e sanksionimit të Serbisë, rritë nivelin e kërcënimit në Ballkanin Perëndimor. Drejtuesit e grupit terrorist, në vend që të jenë duke u përballur me drejtësinë në Kosovë, vazhdojnë përgatitjet për sulme të tjera ndaj Kosovës dhe grumbullim të votave me shantazhe ndaj serbëve të Kosovës.

Related posts

Mbi 20 persona përfundojnë në spital/ Ja çfarë ndodhi papritur në Bulqizë

E RËNDË! Po lahej në liqenin e Kukësit, humb jetën i moshuari

A mund të drejtojë Argita Malltezi PD-në?! Habit Bardhi me përgjigjen e tij