Albano Aleksi drejt largimit nga Egnatia? Një nga investimet që klubi rrogozhinas po ia merr frytet, ka qenë afrimi i mesfushorit. Futbollisti erdhi në radhët e rrogozhinasve para dy sezonesh dhe vitin e parë fitoi titullin kampion, kupën dhe superkupën si protagonist në fushë, ndërsa në të njëjtën rrugë janë edhe këtë vit. Mirëpo, me mbarimin e këtij sezoni mbaron edhe kontrata mes palëve dhe nëse nuk do të ketë rinovim mes tyre, rrugët do të ndahen.
Mësohet se palët janë ulur për të biseduar për rinovimin e saj, por nuk po gjendet gjuha e përbashkët. Mesfushori kërkon një përmirësim të termave financiarë të kontratës, duke parë edhe performancën dhe kontributin e tij në skuadër, duke u kthyer në një lider. Mirëpo, për momentin, në kampin rrogoshinas nuk ia plotësojnë dot kërkesat dhe gjërat kanë mbetur pezull. Aleksi ka kontratë deri më 30 qershor, duke vënë kështu në rrezik edhe qëndrimin e tij për kupat e Europës. Gjithsesi, burimet pohojnë se bisedimet do të vijojnë, sepse në vija të përgjithshme dëshira e të dyja palëve është të vijojnë bashkëpunimin edhe për të paktën një sezon.
Prej disa sezonesh, 32-vjeçari është ndër më të mirët në rolin e tij në futbollin shqiptar dhe ofertat në drejtim të mesfushorit nuk kanë munguar. Duke ditur situatën e tij me rrogozhinasit, ku i mbaron kontrata në fund të sezonit, kanë ardhur sinjalet e para nga skuadra të tjera të Superiores, të cilat janë të gatshme të bëjnë edhe një sforco ekonomike për ta afruar. Megjithatë, mbetet për t’u parë sesi do të vijojnë gjërat, por duket se për Egnatian nuk do të jetë e lehtë që ta mbajë mesfushorin në radhët e saj edhe për këtë sezon.