Alban Bushi përgatit Shqipërinë U-21 për dy përballjet me Rumaninë dhe Malin e Zi: Bëjm maksimumin. Ibrahimovic? E kemi kontaktuar

Shqipëria U-21 ka shpallur ditën e djeshme edhe listën e të grumbulluarve për dy ndeshjet në transfertë ndaj Rumanisë dhe Malit të Zi. Sfida këto të vlefshme për kualifikueset e Euro 2025.

Ditën e sotme Alban Bushi ka dalë në konferencën për media, ku ka folur për lojtarët që ka grumbulluar dhe duelet e ardhshme. Ndër të tjera ka prekur edhe çcështjen Arijon Ibrahimovic.

‘A është skuadra gati për të marrë maksimumin? Në pesë muajt e fundit kemi bërë pesë ndeshje, është diçka e mirë sepse jemi konsoliduar. Lojtarët e dinë se çfarë duhet të bëjnë, ndjehem mirë se jemi në vend të parë. Kundërshtarët kanë një ndeshje më pak, por nuk do të thotë asgjë. Për ne është një motivim për ndeshjet e radhës. Si Rumania ashtu edhe Mali i Zi janë të fortë, na njohin dhe i njohim. Duhet të jemi më shumë të ekuilibruar me Rumaninë, po ashtu edhe me Malin e Zi.

Lojtarët nga kampionati shqiptar? Beqja dhe Rashica janë lojtarë me perspektivë. Rashica ka qenë me të rinjtë e Kosovës, e falenderoj që na ka zgjedhur. Kampionati shqiptar nuk i jep dorë të rinjve dhe shohim gjithmonë jashtë, edhe ata të rinj që aktivizohen, nuk punohet shumë me ta.

Ibrahimovic, ka patur interes nga Federata? Çdo lojtar që është në Europë e kontaktojmë, ka pasur kontakte. Për arsye të lojtarit nuk është thirrur, ndoshta mund të presë Gjermaninë.

Futbolli është i paparashikueshëm, rumunët kanë lojtarë të mirë, Rumania është nivel i lartë. Duhet të shkojmë për të qenë të ekuilibruar dhe duhet të jemi pak të zgjuar tani se kanë kaluar gjysma e ndeshjes. Lojtarët në Finlandë u treguan euforikë, por duhet të mbrohemi mirë sepse kundërshtarët janë të shpejtë dhe të hapin probleme. Duhet të jemi gjithmonë në avantazh numerik.

Nuk luajmë dot futboll të hapur, e kemi luajtur në ndeshjet e fundit, por kemi pësuar. Te kjo moshë nuk duhet të shihet shumë rezultati, por kur jemi në vend të parë pas katër ndeshjesh pse të mos bëjmë disa llogari. Jam i kënaqur me barazimin ndaj Rumanisë, i kanë fituar ndeshjet në shtëpi.

Gjashtë lojtarë nga Kosova, efekti Bushi që i ka bindur apo situata në kombëtaren e madhe? Mund të jetë edhe efekti i ekipit të parë, por gjithmonë kemi marrë lojtarë. Kush është lojtar i mirë ne e kontaktojmë, është luks që një lojtar mund të zgjedhë dy ekipe. Kosova dhe Shqipëria janë njësoj, jemi një nuk ka problem.

Keni ndonjë lojtar që e keni pishman që nuk mundët ta grumbullonit? Ne trajnerët afeksionohemi pas lojtarëve, janë disa që do të doja t’i kisha, por nuk janë në nivelin e këtyre që kemi thirrur. Duhet të punojnë shumë, mendoj se do të jenë afër në të ardhmen. Datëlindja 2002-2003 është pak e vështirë, ndaj jemi plotësuar edhe me lojtarë nga Kosova.

Pasaporta, është bërë pak e vështirë pas kthimit të ligjit nga presidenti? Fillimi ishte pak i vështirë, presim pasaportën e Rashicës këto ditë. Kanë qenë korrekt kohët e fundit”, përfundoi Bushi.

Related posts

Nëntë zyrtarizime! Besa nuk ndalet në merkato, prezanton ish-futbollistin e Flamurtarit (FOTO)

Vllaznia bind në miqësoret e zhvilluara, tjetër sukses kundër ekipit boshnjak

AF Elbasani nis përgatitjet pa trajner, klubi verdheblu drejtohet nga ish-lojtari i Superiores (video)