Ish-kryeprokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë përgjatë viteve 2012-2017, Adriatik Llalla, ka fituar statusin e Azilantit Politik në Itali. Vendimi për dhënien e statusit është marrë nga Gjykata e Romës, e cila pasi shqyrtoi kërkesën e Adriatik Llallës, urdhëroi miratimin e kërkesës, duke i hapur rrugën procedurave të mëtejshme të marrjes së pasaportës italiane, që lëshohet përmes strukturave të Ministrisë së Brendshme.
Gazetari Elton Qyno bën me dije se Llalla ka fituar statusin e Azilantit, duke sjellë vështirësi serioze dhe zbehur shpresat për ekstradimin e tij.
Adriatik Llalla, prej muajit Shtator 2021, kishte nisur një betejë ligjore në Romë, duke bindur drejtësinë e këtij vendi se përndjekja dhe dënimi i tij me 2 vite burgim në Shqipëri, ka qenë një iniciativë politike dhe jo e pavarur.
Llalla, mësohet të ketë bindur gjykatën duke i servirur një sërë deklarata sulmesh me eksponentë politikë në Shqipëri dhe jo vetëm, duke pretenduar se procesi penal kundër tij, është ndikuar politikisht.
Pretendimet e ish-kryeprokurorit Llalla, janë pranuar nga Gjykata e Romës, e cila ka miratuar kërkesën, duke parë dhe sjelljen e Llallës, gjatë kohës që ka qëndruar përgjatë 1 viti e gjysëm në këtë shtet.
Me marrjen e statusit të azilantit politik dhe fitimit të pasaportës italiane, njëherësh Adriatik Llalla nxjerr “Nul” dhe procesin e ekstradimit të tij në Shqipëri, duke e renditur çështjen e tij, në listën e atyre dosjeve që kanë dështuar për sa i përket ekstradimeve.
Hetimi ndaj Llallës, u regjistrua vetëm disa muaj pasi ai kishte lënë detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë.
Çështja nisi fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e “fshehjes së pasurisë”, “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Pastrimit të parave”.