Familja e Klodian Rashës ka shpërndarë një letër publike me anë të të cilës u bën thirrje protestuesve që të shmangin rrëmujat, pasi këto nuk sjellin drejtësi.
Në mesazhin e familjes Rasha thuhet se “ajo që na ka ndodhur mos i ndodhte as hasmit”, me tej në letër shtohet se: “ato që po shohin pas humbjes së djalit tonë nuk na ngushëllojnë”.
Familja Rasha shprehet më tej se janë pranë familjes së policiët që u dëmtua në sy, ndërkohë që shton se “e drejta duhet të shkojë në vend në gjykatë dhe ne e presim nga shteti ta garantojë drejtësinë, jo nga dhuna politike”
“Pamë me shumë keqardhje dje policin e plagosur në sy dhe ndjemë dhimbje për prindërit e tij. Ajo që na ndodhi ne mos i ndodhte as hasmit! Por ato që po shohim të ndodhin pas humbjes se djalit tonë nuk na ngushëllojnë po na e thellojnë plagën tonë të jashtëzakonshme.
Djalit tonë ia mori jetën arma e një polici dhe ne duam drejtësi deri në fund për jetën humbjen e tij. Por rrëmujat në emër të djalit dhe plagosja e djemve të nënave që i shërbejnë shtetit në polici, nuk sjellin drejtësinë po vetëm padrejtësi të tjera.
Ne i jemi pranë familjes së policit që rrezikon të humbasë sytë dhe i lutemi të gjithë djemve të rrëmbyer nga inatet e politikës të mos manipulohen nga politika. Politika që kërkon rrëmujë dhe shkatërrim nuk sjell drejtësinë po rrezikon jetë të tjera djemsh të pafajshëm dhe shqetëson mbarë popullin shqiptar.
Ne dëshirojmë shumë që vdekja e tmerrshme e djalit tonë të vlejë për të mos i ndodhur kurrë askujt e njëjta tragjedi. Por e drejta duhet të shkojë në vend në gjykatë dhe ne e presim nga shteti ta garantojë drejtësinë, jo nga dhuna politike”, thuhet në letër.
Burimi: Panorama.al