Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj komentoi planin ekonomik të PD-së duke u shprehur se me atë program Shqipëria falimenton që vitin e dytë të mandatit.
Ahmetaj tha që të realizohej programi i opozitës do të duhej një rritje ekonomike 25 për qind. Ai e krahasoi programin e këtij viti të opozitës me atë të PD-së të partnerizuar me Suden, ku motoja ishte “Me ne fitojnë të gjithë”.
“Është një tallje e madhe me shqiptarët. E çon defiçitin e skemës së pensioneve në gati 830 mln dollarë. Përtej kësaj kemi të gjithë heqjen e taksave. Që ky program të funksionojë duhet të rritet ekonomia me 25 për qind dhe të ardhurat me 25 për qind. Praktikisht Shqipëria falimenton në vitin e dytë të një mandati të pamundur të këtyre. Më kujtohet platforma e dikurshme e qeverisë së PD të partnerizuar me Sudjen, “me ne fitojnë të gjithë”, the pastaj falimenton Shqipëria”, u shpreh ministri Ahmetaj.
Duke folur mbi taksën progresive të aplikuar nga qeveria, Ahmetaj tha se kjo taksë favorizon shtresën e mesme dhe ata me të ardhura të ulëta.
“Pikëspëpari progresiviteti është në favor të klasës së mesme dhe shtresës që ka të ardhura më të ulëta. Sot që flasim mund të numërojmë 960 milionë dollarë të kaluara në xhepat e familjeve të klasës së mesme. Taksa e sheshte favorizon një pakicë, që ne asnjëherë nuk kemi qenë kundër, një pjesë e mirë e tyre na kanë votuar, por në korrektesë të filozofisë ajo pjesë duhet të mbajë një marrë më të madhe fiskale se sa 95 për qind e të punësuarve”, tha ai.