Agron Duka kritika të rënda ndaj PS-së: Edi Rama të mos fryhet si gjeli në majë të plehut, korrupsioni dhe babëzia kanë degraduar PS, koha të…

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste dhe deputeti i opozitës, Agron Duka shfaqi kritika të mëdha ndaj Partisë Socialiste për mënyrën se si është degraduar në 9 vitet e pushtetit gjatë drejtimit nga Edi Rama. Në një intervistë për “Gazetën SOT”, Duka, duke qenë në të kaluarën ish-deputet dhe ish-ministër i PS, shprehet se korrupsioni i madh, babëzia dhe etja për pushtet kanë deformuar për keq identitetin e partisë më të madhe të majtë në vend, që dikur e konsideron një forcë politike e përbërë nga intelektualë progresistë. Deputeti i opozitës kritikoi politikat e ndjekura nga PS për përballimin e krizës ekonomike nga rritja e çmimeve. Sipas tij, qeveria duhej të përfshinte në Paketën e Rezistencës së Dytë Sociale fermerët, peshkatarët, agro-përpunuesit si dhe të zhvillohej një debat sa më gjithëpërfshirës me grupet e interesit. Lidhur me krizën energjetike në vend, Agron Duka konstaton se ka ardhur koha që qeveria të ndërmarrë projekte afatgjata për periudha 5-10 vjet. Duka dha mendimin e tij dhe për Reformën Zgjedhore. Ai shtoi se sistemi aktual elektoral duhet ndryshuar pasi favorizon partitë e madhe tradicionale në vend dhe nuk lejon garë të barabartë. Ai mbështet sistemin mazhoritar të përballjes së drejtpërdrejtë mes kandidatëve të forcave politike. Aksionin e fundit të qeverisë për sekuestrimin e ndërtimeve pa leje, Duka e konsideron si një cirk propagandistik të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Është e pakuptimtë sipas tij që edhe pse PS ka siguruar të gjitha pushtetet, shfajësohet gjithmonë për problemet e shkaktuara prej politikave të saj.

-Si e konsideroni Paketën e Dytë të Rezistencës Sociale të miratuar nga Parlamenti? Opozita ka kritika të shumta se është i pamjaftueshëm dhe kryhet për fuqizimin ekonomik të qeverisë në dëm të qytetarëve. Si duhej organizuar kjo paketë 6.1 miliard lekë?

Ka qenë përherë larg qasjes time t’i trajtojë çështjet që janë në interes të qytetarëve, siç është rasti në fjalë, si tema debati politik të ditës, prandaj edhe nuk e konsideroj të vlefshme adresimin e saj si e parë nga një politikan i opozitës, por si një ligjvënës i vendit, si qytetar, por edhe si njëri me eksperiencë në sipërmarrje. Nga ky këndvështrim, duhet të parashtroj se me rritjen e çmimeve të lëndëve të para, që gjerësisht ka impaktuar konsumatorët dhe bizneset, përfituesi i parë ka qenë shteti, sepse ka mbledhur më shumë të ardhura. Rritja e këtyre të ardhurave duhej shfrytëzuar më mirë, në këndvështrimin tim, për të bërë një paketë ndihmëse më të madhe që prek më shumë shtresa të shoqërisë, në veçanti ato në nevojë, sigurisht edhe një vëmendje të shtuar për fermerët dhe peshkatarët e agro-përpunuesit. Njëkohësisht, nuk është vetëm problemi i shumës, por edhe i mënyrës se si hartohet një paketë e tillë, pa konsultime me grupet e interesit, bizneset, sindikatat, përfaqësuesit e fermerëve dhe bizneseve. Është e vërtetë që kriza po troket në gjithë botën, por ne nuk mund të gjejmë zgjidhje për këtë situatë nëse nuk konsultojmë paketat e vendeve të ndryshme, që jo vetëm kanë qenë më të bollshme, por edhe më mirë të rakorduara me grupet shoqërore. Prandaj ka shumë vend për përmirësime, për të lehtësuar situatën për qytetarët e vendit, të cilët paradoksalisht varfërohen, ndërsa shteti me taksat e shumta që mbledh po pasurohet. Kjo nuk është e drejtë!

– Qeveria ka publikuar dhe masat për kursimin e energjisë për rutinën ditore të shqiptarëve. A nuk ju duken qesharake propozimet për të larë enët dhe rrobat dy herë në javë?

Sigurisht që propaganda e tepruar është një karakteristikë e kësaj qeverie, sidomos kur qytetarët shohin dhe perceptojnë një korrupsion të përhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes, ndaj edhe kur përpjekjet për të sensibilizuar qytetarët rreth uljes së konsumit, vijnë nga njerëz të konsumuar dhe përfolur, japin efektin e kundërt. Në të vërtetë kjo është një çështje shumë serioze dhe duhet trajtuar si e tillë, kështu po ndodhë edhe në vendet e BE-së. Megjithatë, përtej shfaqjeve propagandistike që lënë një shije të keqe, duhet ta trajtojmë temën e energjisë dhe çmimeve si një çështje kombëtare, jo vetëm për dimrin e vështirë që na pret, por për problemet që shtrohen për zgjidhje në këto fusha për të paktën 5 apo 10 vite. Mjaft kemi ecur me mëditje, duhen strategji të konsultuara dhe afatgjata, që nuk shohin interesin e një pale apo tjetrës, por interesin e përgjithshëm. Ky është një kapërcim i domosdoshëm, sepse nuk mund të kalojmë nga një krizë në tjetra, pa mësuar asgjë nga pësimet dhe pa ndërtuar një vizion të ri për vendin. 

– Së fundmi u organizua Panairi i Verës në kuadër të “Ballkanit të Hapur”. Si ish-ministër Bujqësie dhe specialist në këtë fushë, ka shanse bujqësia shqiptare të rimëkëmbet apo do mposhtet nga konkurrenca me kompanitë nga shtetet fqinje?

Jam mjaft krenar për produktin që kemi arritur të çojmë në tryezat e konsumatorëve, sepse është një produkt shqiptar dhe jo vetëm rrit prestigjin e vendit, por ndihmon në krijim e vendeve të reja të punës, duke prodhuar mirëqenie. Unë mbështes çdo nismë rajonale, që ka bekimin e partnerëve tanë ndërkombëtar dhe të vendeve të rajonit, megjithatë, edhe në këtë fushë, siç thashë më sipër, nuk mund të shkojmë sipas një vullneti të njëanshëm, pa një strategji të qartë dhe pa masat e duhura. E thënë thjeshtë, është shumë e rëndësishme që ne të kemi shkëmbime ekonomike me të gjitha vendet, kjo është e ardhmja që na pret me proceset integruese në BE, por njëkohësisht është po aq e rëndësishme të kuptojmë si të mos e lëmë mbrapa sektorin e bujqësisë të Shqipërisë, i cili do të përballet sot me produktet e subvencionuara të Serbisë, Maqedonisë, Kosovës, dhe nesër, kur të anëtarësohemi, të BE-së. Prandaj që bujqësia jonë të mos rrënohet edhe më tej, ka nevojë për subvencione, sepse fermerët dhe blegtorët tanë marrin më pak mbështetje të drejtpërdrejtë, për pasojë ndëshkohen nga tregu. Këtu nuk ka vend për ndonjë shkencë të madhe. Duhet vullnet politik për ta parë bujqësinë si prioritet dhe për të ngritur subvencionet në nivelin e vlerave të vendeve të rajonit, të cilat na kanë lënë mbrapa, sepse prioritetet e kësaj mazhorance kanë qenë koncesionarët dhe jo prodhuesit.

– Opozita propozon shtimin e bashkive me 91 si dhe heqjen e qarqeve dhe organizimin me 6 rajone, ndërsa mazhoranca shprehet kundër. Ju si politikan i vjetër, çfarë sugjerimesh dhe qëndrimi keni për Reformën e re Territoriale?

Eksperienca më ka mësuar se partitë e mëdha kanë një zakon të keq, lënë çdo gjë për në moment të fundit, nuk konsultohen me grupet e interesit dhe nxjerrin produkte që nuk u shërbejnë qytetarëve, por vetë partive. Këto nuk janë reforma. Një reformë kërkon një konsultim të thellë, një analizë të detajuar për të kuptuar çfarë nuk funksionoi me të parën dhe sa më shumë ekspertë të pavarur që të paguhen për të bërë interesat e qytetarëve shqiptarë. Prandaj nuk është çështje numrash, sa rajone, apo sa bashki, por është çështje dobishmërie publike, mirëmenaxhim fondesh, ndarje me efektivitet të kompetencave, zonat rurale duhet të kenë autonomi dhe përparësi, në mënyrë që të mos lihen në harresën e bashkive qëndore, dhe zhvilim të demokracisë vendore. Nuk mund të trajtohet harta e Shqipërisë si një ndarje çifligjesh, pastaj ta zhbëjmë pas disa vitesh përsëri.

– Ndryshimet e Kodit Zgjedhor të njëanshme nga qeveria kanë shkaktuar reagime të ashpra nga opozita. Ju çfarë modeli zgjedhor propozoni? Si duhet të zgjidhen deputetët?

Prej ditës të parë që kam qenë në politikë, kam qenë mbështetës i garës së drejtpërdrejtë, sepse besoj se në këtë mënyrë dalin në pah kandidatët më të mirë dhe kanë një lidhje direkte me votuesin, prandaj mazhoritari është në gjykimin tim një sistem efikas. Megjithatë, për të korrektuar rrezikun e votave që mbeten pa përfaqësim, meqenëse kush fiton një zonë, fiton gjithçka, duhet inkurajuar kombinimi me proporcionalin, në mënyrë të tillë që përfaqësimi të jetë sa më i gjerë dhe parlamenti sa më cilësor. Variantet mund të jenë të shumta, megjithatë është domosdoshmëri për mirëqeverisjen, që sistemi aktual të ndryshohet, sepse është shumë i padrejtë dhe ndëshkues për çdo parti alternative dhe nuk lejon konkurrencën e barabartë. Unë gjykoj se është shumë e rëndësishme që për këtë çështje të ketë një debat kombëtar të vërtetë, sepse nuk mund të bëjmë më arnime mbi një kod zgjedhor që është qepur e rishqepur, duke tjetërsuar qëllimet fillestare të tij, vetëm për interesat e dy partive kryesore. Dhe barra e nisjes së këtij debati i takon opozitës, që ka përgjegjësinë të përfaqësojë nevojën e shqiptarëve për ndryshim, dhe ta bëjë këtë në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse.

– Opozita dhe qeveria kanë kërkuar miratimin e ligjeve të dekomunistizimit, hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe dekriminalizimit. A ka rrezik që këto ligje (nëse miratohen) të përdoren për “gjueti shtrigash” dhe spastrim të kundërshtarëve politikë?

Duke qenë se jemi 32 vite me vonesë, rreziku që këto çështje të përdoren për luftë politike është më se real. Ndaj nuk duhen trajtuar si mjete për të goditur njërin apo tjetrin, por si çështje mbi të cilat shoqëria shqiptare ka një nevojë të thellë për reflektim dhe tejkalim paqësor. Jo vetëm për personat që mund të jenë aktivë në politikë me një të shkuar të dyshimtë, por edhe për respekt të kujtesës dhe dhimbjes së atyre që kanë vuajtur në atë regjim. Trajtimi i dhimbjes së tyre si një armë për të goditur kundërshtarin, lëndon më shumë viktimat e dikurshme, që nuk kanë parë ende drejtësi. Prandaj këto çështje duhen trajtuar me rigorozitet dhe ndjeshmëri të lartë publike, pa i ndotur me nuancat e betejës politike të ditës. Këtë e kemi detyrën ndaj kujtesës së atyre që kanë humbur jetën gjatë regjimit dhe dhimbjes së familjarëve të tyre.

– Kryeministri fajësoi institucionet në varësi të qeverisë për ndërtimet pa leje. A qëndron si argument deklarata e tij pasi nuk pranon përgjegjësi politike të lartë? Mund të jetë ky aksion në kuadër të fushatës për zgjedhjet e ardhshme lokale?

Sinqerisht, jemi të gjithë të lodhur me këtë cirk ku xhonglohet me papërgjegjshmërinë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se pushteti qendror dhe vendor janë të përqendruar në duart e një personi, që ka kërkuar ta marrë këtë pushtet me të gjitha format dhe është shumë i vetëdijshëm që e gëzon këtë pushtet, prandaj nuk duhet të fryhet si gjeli në majë të plehut kur është rasti për t’i rënë gjoksit për ndonjë arritje, ndërsa për gabimet apo keqbërjet e pushtetit të tij të hedhë tutje përgjegjësinë që ka. Unë jam i bindur se qytetarët e kanë të qartë këtë, vetëm mungesa e garës së ndershme zgjedhore e lejon mazhorancën t’i bëjë bisht përgjegjësive të shumta. Pas 9 vitesh në pushtet, nuk mund të lashë duart, ose je fajtor, ose je i paaftë, në të dyja rastet nuk je i përshtatshëm për të qeverisur.

– Së fundmi pati ndryshime në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit. Në qëndrimin tuaj, a mund të krijojë besueshmëri emërimi i Muhamet Rrumbullakut? Nuk ju duket qesharake  të kërkohet zgjidhje e  gjendje kritike të krimit dhe sigurisë në vend për 100 ditë?

Situata e sigurisë publike është shumë shqetësuese dhe rokadat nuk ndihmojnë aspak në përmirësimin e saj. Afatet 100 ditore, të përsëritura në fakt sepse ju si gazetarë e mbani mend një urdhër të tillë jo më larg se vitin e shkuar, janë vetëm për konsum mediatik. Edhe në këtë sferë është detyrë parësore e të gjithë vendimmarrësve politikë të ngrenë zërin dhe të kërkojnë ndryshime cilësore në riorganizimin e policisë. Duhet një ndërhyrje e fortë, e shoqëruar nga një mbështetje financiare në lartësinë e sfidave të sigurisë me të cilat policia përballet. Po aq i rëndësishëm është edhe aspekti moral. Uniformat blu kanë nevojë për një lidershipi të ri, të pakompromentuar që të frymëzojë me besimin të rendi dhe drejtësia. Një model që nuk mund të vijë nga mazhoranca aktuale, e cila për vite me radhë ka patur lidhje të dokumentuara me krimin, madje kemi arritur deri aty sa persona të tillë kanë arritur në parlament dhe bashki. Si mund të ndihet i përkushtuar një polic në luftën kundër krimit, kur sheh se eksponentë të partisë qeverisëse janë të lidhur me grupet kriminale? Kjo demotivon çdo polic të ndershëm dhe prodhon rezultatet që fatkeqësisht shohim përditë në rrugët e qyteteve dhe fshatrave tona.

– Lidhur me SPAK-un, kreu i saj Arben Kraja largohet në muajin dhjetor. Ky funksionar i lartë dhe institucioni në fjalë, a kanë krijuar besim te qytetarët me punën e tyre në kuadër të luftës ndaj korrupsionit shtetëror dhe krimit të organizuar?

Unë e kam mbështetur me bindje reformën në drejtësi. Kam qenë pjesë e legjislaturës parlamentare në të cilën ajo u votua dhe nisi të implementohej. Edhe unë, si shumë qytetarë, kisha pritshmëri të larta për këtë reformë të mbështetur fuqimisht nga BE dhe SHBA. Kam ende besim se drejtësia do të jetë plotësisht funksionale një ditë, megjithatë pres që ajo të ngrihet në lartësinë e nevojës së çdo shqiptari që kërkon fundin e pandëshkueshmërisë në nivelet e larta. Kanë ende shumë punë për të bërë për të fituar besimin e shoqërisë, e cila pret që drejtësia të jetë garantuese e mirëqenies së shqiptarëve. Kjo do të ndodhë kur të hetohet dhe ndëshkohet korrupsioni në nivelet më të larta, jo eksponentë të dorës të dytë të politikës apo individë që kanë humbur mburojën e mbështetjes politike.

-Rihapja e basteve online. Kryeministri Rama u dorëzua para presionit të shumtë. Ka zëra se mund të përdoret për të përfituar të afërm dhe bashkëpunëtorë të tij, por ka dhe mendime se këto të ardhura do të shkojnë për zhvillimin e sportit? Ju kë version mbështesni?

Akuzat politike në vendin tonë janë përherë të shumta, megjithatë unë mendoj se ka mjaftueshëm fusha ku mund të sulmohet kryeministri dhe enturazhi i tij, pa hyrë në hamendësime të tjera edhe për bastet online. Në fakt përpara se ta sulmojmë për konflikt interesi, Rama duhet të mbajë njëherë përgjegjësi për mbylljen që u bëri atyre. Pse u mbyllën? Sa vende pune u humbën? A u mbyllën realisht, apo pati zhvillim të paligjshëm të tyre? Dhe shumë pyetje që mund të shtrohen me të drejtë për veprimet e qeverisë. Ndërsa, personalisht mendoj se ishte një anormalitet një mbyllje e tillë, pasi çdo kush që udhëton sheh se jo vetëm në rajon, por në gjithë Europën, lojëra të tilla lejohen dhe prodhojnë edhe ekonomi, që fatkeqësisht këto vite në të cilat kanë qenë formalisht të ndaluara, kanë shkuar në ekonominë e zezë. Kjo çështje nuk duhet trajtuar me populizëm, por si një aktivitet ekonomik, i mirëmenaxhuar, pa teprime, nga e cila përfitojnë arkat e shtetit, ata që duan të punojnë në mënyrë të ligjshme me bastet dhe sporti, i cili ka nevojë për të ardhura shtesë.

– Me gjithë këto probleme të krijuara gjatë këtyre viteve, mendoni se ka ende moral politik PS për të drejtuar Shqipërinë, pavarësisht se numerikisht e ka siguruar pushtetin?

Sinqerisht, ndiej një farë keqardhje për degradimin e kësaj force politike, që dikur ka qenë shtëpia e intelektualëve, profesorëve dhe reformistëve të mëdhenj të vendit, ndërsa tani, pavarësisht pushtetit që menaxhon, është në një krizë të fortë legjitimiteti. Mund të shkojmë deri aty sa të pohojmë se drejtuesit aktual i kanë hequr të drejtën vetes për të bërë opozitë në të ardhmen, sepse siç pohojnë të gjitha raportet ndërkombëtare, por edhe siç e sheh edhe çdo qytetar i ndershëm, korrupsioni e ka tjetërsuar identitetin politik të PS-së. Uroj me gjithë zemër që kjo forcë politike të gjej forcën të reformohet, të mos përkëdhelet nga luksi dhe babëzia që pushteti pakufi prodhon, por të ndryshojë për të mirën e socialistëve të ndershëm dhe të mirën e Shqipërisë, e cila ka nevojë për parti që punojnë për interesat e saja të përhershme dhe jo për kryetarët e përkohshëm.

Related posts

Shoqërohen në polici përfaqësues të degës së PD-së në Elbasan (EMRAT)

Pas Big Brother Vip, Ilnisa Agolli anëtarësohet në Partinë Socialiste?! Ja fotot pas “Lali Erit” dhe Lindita Nikollës!

A mund të drejtojë Argita Malltezi PD-në?! Habit Bardhi me përgjigjen e tij