Gazetari dhe shkrimtari Agim Xhafka përmes një shkrimi satirik ka ironizuar kryeministrin Edi Rama, i cili përveç daljeve të tij politike, në natën e ndërrimit të viteve e pamë dhe në rolin e lojtarit në rubrikën “Të Panjohurit” të emisionit “E diela Shqiptare”.
Xhafka e quan karagjoz kryeministrin, i cili u bë pjesë e “show”-t të argëtimit. Sipas shkrimtarit ka vetëm një karagjoz në këtë dynja dhe ai është kryeministri Edi Rama.
Shkrimi i Agim Xhafkës
Në pasditen e 31 Dhjetorit, Edi iu afrua së shoqes dhe i dha një puthje të fundit. Ora shënonte gjashtë. Pasi mbathi këpucët e tij, mori të birin për dore, dhe iu drejtua derës.
– Babi, ku po shkojmë? – e pyeti me kuriozitet djaloshi i vogël.
– Deri tek kisha bir. Se po na presin – i përgjigjet Edi.
– O babi, po a nuk kanë prift ata?
– Jo bir, prifti qe sëmurë. Prandaj po shkoj unë. Kristjanët kanë nevojë për mua. Nuk i le dot.
Me të shpërndarë bukën dhe verën tek besimtarët nën rrobat e priftit, Edi mori djaloshin për dore dhe iu drejtua portës së kishës.
– Babi, ku po shkojmë? – e pyeti i biri përsëri.
– Në xhami bir. Na presin besimtarët.
– Babi, babi! Po a nuk kanë hoxhë ata?
– Jo bir. Hoxha ka ikur e punon murator në Gjermani.
– Po ti nuk je mysliman si mami. Kurse unë jam hebre o ba’. Si do falesh me ta?
– Të falen ata bir, e unë do u lexoj kuran.
Besimtarët ishin falur. Po prisnin Edin të recitonte hadithet e profetit. Por Edi kishte një plan tjetër. Ai recitoi kuranin duke i lënë gjithë besimtarët gojëhapur dhe të mahnitur. Besimtarët pasi e dëgjuan, i bënë sexhde Allahut dhe e falenderuan Atë për mrekullinë që kishin dëgjuar.
Me të mbaruar tek xhamia, Edi hoqi fezin osman të mbështjellë me çallmë të bardhë, dhe iu drejtua derës së xhamisë.
– Babi! Babi! Po tani ku po shkojmë?
– Te Neës24 bir. Do korrigjojmë artikujt e Rakipllarit.
– Babi, po a nuk kanë kryeredaktor ata?
– Kanë bir. Por kryeredaktorët që kanë ata janë të paaftë. Vetëm unë u vi hakut atyre.
Tek kontrolloi gjithë kryetitujt për ditën e nesërme, Edi filloi menjëherë t’i korrigjonte. Rakipllari i skuqur e shihte me plot kërshëri por dhe i vinte turp nga vetja se si kishte arritur që Edit mos t’i pëlqente asnjë nga titujt e gazetës. Me të gdhendur titujt e rinj fët e fët, Edi me të birin iu drejtua portës.
– Babi. Po tani ku po vemi?
– Te Mamaqi bir. Kam prova.
– Babi, babi. Po nuk kanë aktorë ata?
– Jo bir. Aktorët janë bërë politikanë qëkur xhaxhi Lali prishi teatrin. Vetëm unë mbeta.
Xhirimet me Mamaqin mbaruan shumë shpejt. Edi e kishte përvetësuar tekstin mjeshtërisht. Roli i tij ishte i vështirë. Por nuk kishte vështirësi për Edin. Pasi u puth edhe me Mamaqin, Edi iu drejtura portës me djalin përdore.
– Babi! U mërzita dhe kam uri. Po tani ku po shkojmë?
– Te Dervish Hatixheja biro.
– Po a nuk kanë dervish ata?
– Jo bir. Dervishët ishin të gjithë në trans. T’u mbajmë pak ligjërim për baba Aliun, këput dhe ti ndonjë kofshë pule meqë ke uri.
Duaja e Edit në tyrben e Dervish Hatixhesë shkoi për Ilir Metën. Sipas Edit, një ditë Iliri do të ishte aq besnik në politikë sa edhe në futboll, kur bën tifo për Sëlltikun.
– Po tani o ba? Nuk do vemi në shtëpi tek mami?
– Jo bir. Tani do vemi në gjykatë.
– Gjykatë? Po pse? Ç’ka ndodhur?
– Do fusim xhaxhi Saliun në burg.
– O babi, po nuk kanë gjykatës ata?
– Jo biri im. Gjykatësi nuk kaloi vetingun.
Edi nuk e përdori fuqinë e tij. Mund edhe ta vriste por ishte burrë i mëshirshëm. Kështu, Edi dënoi me burg. Pasi hoqi rrobën e magjistrit juridik, Edi iu drejtua portës së gjykatës për të dalë.
– Po tani babi? Prap ndonjë punë?
– Te Fotinia bir.
– Po Fotinia ç’ka?
– I është prishur lavatriçja.
– Po a nuk ka teknik lavatriçesh ky qytet?!
– Jo bir. Punojnë të gjithë në call centera sot. Kush do i bëjë këto të tjerat?
Fotinia i bëri një filxhan kafe, i dha edhe Zahos një çokollatë. Edi e refuzoi kafen. Nuk pinte kurrë në detyrë. E konsideronte rryshfet. Por çokollatën e djalit, meqë kishte uri e lejoi nga mëshira e tij. Lavatriçja u rregullua. Kishte vetëm një defekt të vogël. Tek u përqafua me Fotininë, Edi me të birin iu drejtuan portës.
– Babi, më thuaj që për sot mbaruam!
– Jo bir, kemi edhe një punë të fundit.
– Po ç’punë o ba’. Unë dua të vete në shtëpi të shoh emisionet e fundvitit.
– Do ta shohësh Live bir, jo nga ekrani. Atje po shkojmë.
– Babi, po ç’do bëjmë ne aty?
– Jam i ftuari special bir.
– O babi, po a nuk kanë karagjoz ata?
– Jo bir. Karagjoz në këtë dynja, jam vetëm unë.