Gazetarja Anila Hoxha, e ftuar në “Top Story”, u shpreh se hetimi i Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion për çështjen e inceneratorëve dhe konkretisht për ish-Ministrin e Financave Arben Ahmetaj po ecën me hapa shumë të ngadaltë, në një proces me disa probleme.
Mënyra se si po zvarritet hetimi, shprehet gazetarja, vë në dyshim vetë SPAK-un.
“Si autoritet për të dhënë qëndrimin për koncensionarin përcaktohet Ministria e Mjedisit. Një nga ministrat e linjës së asaj kohë aktualisht vijon të jetë në paraburgim që prej dhjetorit të vitit të kaluar. Bëhet fjalë për Lefter Kokën. Por, mënyra se si SPAK lëviz shumë ngadalë për të vënë drejtësi dhe për të zbuluar se cilët janë këta aktorët e mëdhenj të shkeljes së ligjit, vë në pikëpyetje edhe vetë SPAK-un.
Fillimisht thamë, a është sekret që SPAK të mos japë një qëndrim definitiv dhe të shprehet: Është kontrolluar shtëpia në datën 8 mars. Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kontrollojnë shtëpinë e bashkëjetueses së Arben Ahmetajt, që dyshohet se është një pasuri e blerë përmes pastrimit të parave”.
Sipas ligjit, thotë Hoxha, Arben Ahmetaj duhet të kishte deklaruar pasurinë e tij dhe të personave të lidhur me të, siç është ish-bashkëshortja dhe bashkëjetuesja. Gazetarja raporton se gjatë kontrollit që u bë në 8 mars në shtëpinë e partneres, janë sekuestruar disa prova, madhe dhe celulari i saj.
“Është detyrim për çdo funksionar të lartë, Ahmetaj duhet të deklaronte pasuritë e personave të lidhur me të, në rastin konkret të bashkëjetueses apo ish-bashkëshortes. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur. SPAK ka kryer kontrollet. Avokatët kanë bërë publike faktet, duke kundërshtuar dhe duke mos u marrë fare me strategjinë e dy avokatëve. Sepse ligji thotë që në momentin që kontrollon banesën, në momentin që gjyqtari firmosi që të kontrollohej banesë dhe madje kanë bërë kontroll personal ndaj bashkëjetueses, nuk ke më çfarë mohon në gjykatë. Por avokatët mbrojtës kanë strategjinë e tyre për të kundërshtuar provat që janë gjeneruar, midis tyre dhe telefoni i sekuestruar i bashkëjetueses.
Të gjitha këto fakte tanimë të bëra publike jo vetëm nga avokatët, por edhe derivatet e tjera e vendosin SPAK-unë të pambrojtur me tezën e tij që është sekret hetimor.
Që nga janari dhe deri tani, çështja e inceneratorëve ka qenë kryefjalë në Gjykatën e Posaçme, e ndarë në dy fashikuj. Për njërën çështje është vendosur dërgimi për gjykim, për çështjen e Fierit nuk është vendosur ende. Por mënyra se si po ecën SPAK dhe se si duket se po mat audiencat do të kërkojë apo jo arrestimin e Ahmetajt, mua më duket e paqenë kur bëhet fjalë për një çështje kaq të madhe”.