Një kombinim mes mësimit në shkollë dhe atij online, kështu mund të nisë procesi mësimor më 14 shtator, por për këtë nuk ka ende një vendim.
Pak ditë më parë drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në SHBA, Anthony Fauci tha se shkollat duhet të hapen, pasi transmetueshmëria e COVID-19 tek fëmijët është tejet e ulët.
Eksperti i mjekësisë në Shqipëri, epidemiologu Ilir Alimehmeti thotë se shkollat mund të hapen, por duhet bërë një diferencim mes zonave.
“Duhet të marrin parasysh pikat kyçe, higjiena është një ndërgjegjësim i plotë që nevojitet, distancimi është një ndërgjegjësim i plotë që nevojitet. Pastaj duhet parë nga shkolla në shkollë sesa i ka këto mundësi dhe nga lokaliteti në lokalitet. Sepse atje ku janë zona me situatë epidemiologjike më të qetë, klasikisht zonat rurale, problematika shkollore është shumë e ulët, kurse problematika më e madhe është pikërisht në qendrat më të banuara”, – tha z. Alimehmeti.
Diferencim sipas tij duhet bërë edhe në bazë të moshave.
“Jo të gjitha shkollat janë njësoj. Nuk është njësoj çerdhja, kopshti, fillorja, 9-vjeçarja dhe gjimnazi. Gjimnazi ka shumë më tepër kontakte, janë njerëz që edhe organizojnë grumbullime, ndryshon shumë nga fillorja. Mosha të ndryshme e përhapin sëmundjen në mënyra të ndryshme”, – thekson epidemiologu.