Janë pa diploma në duar edhe pse studimet i kanë përfunduar në muajin korrik apo shtator të vitit të shkuar.Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale për muaj me radhë enden çdo ditë në dyert e sekretarisë, me shpresën se kartoni i diplomimit ka mbërritur.
Por e vetmja përgjigje që marrin është ping-pongu i fajit dekanat-rektorat për vonesat.“Kam 9 muaj që se kam marr diplomën, janë në degën time 300 studentë.
Procesi ka mbetur në firmosjen e diplomave nga rektori”, u shpreh Diana Mjeshtri, studente.“Vijmë në fakultet e na thonë që e ka fajin rektorati, shkojmë te rektorati na thonë që nuk janë dokumentacionet e rregullta nga sekretaria e dekanatit”, u shpreh Vilson Blloshmi, student.
Teuta Abazi, specialiste prokurimesh pranë Rektoratit, thotë se janë njohur me problemin. Sipas saj, diplomat kanë ardhur me shumë vonesë dhe pa dokumentacionet përkatëse.Dekani i këtij Fakulteti, Edmond Rrapti, i tha A2, se diplomat janë çuar në kohë dhe me dokumentacion të rregullt. Pasoja është se edhe ata student që do mund të siguronin një vend pune e kanë pasur të pamundur, të tjerë nuk kanë mundur të ndjekin studimet në një vend europian.Një vit më parë, të njëjtat vonesa u paraqitën edhe me studentët e Fakultetit Ekonomik në Tiranë. Burokracitë dhe moskoordinimi mes dekanateve dhe rektorateve paraqitet nga studentët si problem kryesor për mospajisjen me diploma në kohë.