6 ushqimet që nuk duhet t’i mungojnë tryezës tuaj

Gjithkush ka nevojë të konsumojë në jetën e tij të përditshme ushqime të shëndetshme. Shëndeti ynë i mire varet nga konsumimi i ushqimeve të shumëllojshme që përmbajnë sasinë e duhur të karbohidrateve (sheqernave), proteinave, yndyrave, vitaminave, mineraleve dhe ujit. Sasitë e këtyre përcaktohen në raport me peshën e trupit, moshën dhe aktivitetin fizik. Për të rriturit marrja e sasisë së duhur të kalorive ndihmon për të pasur një peshë normale. Fëmijët dhe adoleshentët kanë të domosdoshme të marrin kaloritë e mjaftueshme në mënyrë që të zhvillohet natyrshëm e pa probleme procesi i rritjes. Është mjaft e rëndësishme të ushqehemi në mënyrë të shëndetshme dhe të kemi një aktivitet fizik sistematikisht. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekia Ilda Xhelili tregon se si duhet të jetë raporti i proteinave, karbohidrateve dhe yndyrave që duhet të marrim nëpërmjet ushqimeve për të mbajtur larg një sërë sëmundjesh, pa u dashur që të biem pre e përdorimit të tepruar të medikamenteve.

Por, çfarë janë proteinat, karbohidratet dhe yndyrat?

Të gjitha këto që përmendëm gjenden në ushqimet që ne konsumojmë. Janë pikërisht këto që furnizojnë trupin tone me energji (kalori). Këto grupe kryesore ushqimesh njeriu i merr me anën e ushqimeve me prejardhje bimore dhe shtazore. Duhet theksuar se në gjendje natyrore, nuk ekziston asnjë lloj ushqimi që të përmbajë vetëm substance të njërës prej klasave të sipërpërmendura. Duke qenë përbërës të domosdoshëm të gjitha qenieve të gjalla, ato ndodhen në çdo ushqim njëkohësisht, por, nga ana tjetër sasia dhe përpjesëtimi i tyre në ushqimet e ndryshme me prejardhje bimore dhe shtazore është i ndryshëm. Kështu, mishi është mjaft i pasur me proteina, drithërat e bukës dhe patatja shquhen për një përmbajtje të lartë karbohidratesh, ndërkohë që bimët vajore, dhjamërat dhe gjalpi janë burimet më të rëndësishme të yndyrave për njeriun.

Konkretisht çmund të themi në mënyrë më të detajuar për përmbajtjen e tyre?

Perimet dhe frutat janë burim i rëndësishëm karbohidratesh, vitaminash dhe kripërash minerale. Një pjesë e tyre përmbajnë sasi të konsiderueshme proteinash dhe enzimash. Si të tilla ato janë përbërës të domosdoshëm të ushqimit të njeriut. Perimet janë mjaft të pasura në kripëra minerale dhe vitamina. Frutat janë mjaft të pasura me karbohidrate (sheqerna) që ndodhen në formën e tyre të thjeshtë që u japin atyre shijen e ëmbël dhe shërbejnë si burim i drejtpërdrejtë energjie dhe në formën e amidonit që gjendet në sasi më të pakët. Ndërsa sheqeri i shtuar gjendet në ëmbëlsira, çokollata, karamele, reçel, pijet e ëmbla dhe shurupe të ndryshme. Të gjithë këto karbohidrate përmbajnë katër kalori për gram dhe mund të rrisin nivelin e sheqerit në gjak. Frutat janë gjithashtu të pasura me vitamina, sidomos me vitaminë C dhe provitaminën A. Frutat përgjithësisht dallohen nga një përmbajtje e lartë karbohidratesh e nga sasi më të vogla acidesh, proteinash, yndyrash, kripërash minerale e vitaminash. Konkretisht, molla përmban 85 për qind ujë, 14 për qind karbohidrate, gjithë substancat e tjera të marra së bashku përmbajnë vetëm 1 për qind të masës së saj. Megjithatë në këtë funksion të vogël gjenden mjaft substanca të rëndësishme dhe që i japin veti, aromë dhe shijen specifike frutave. Pikërisht me këtë përbërje kimike të shumëllojshme lidhet edhe roli i rëndësishëm fiziologjik i frutave dhe perimeve për plotësimin e nevojave të organizmit si me përbërje ashtu edhe në energji. Ato plotësojnë nevojat e organizmit për kripëra minerale (të natriumit, kalciumit, kaliumit, fosforit etj), mikroelemente dhe vitamina, por nuk mund të nënvlerësohet edhe vlera e tyre kalorifike, në sajë të përmbajtjes relativisht të lartë në karbohidrate. Ndërsa celuloza dhe pektina që ato përmbajnë janë mjaft të dobishme dhe stimuluese të funksionimit normal të aparatit tretës. Gjithashtu, klorofili  i gjetheve të gjelbra të perimeve aktivizon fuqimisht punën e muskulit të zemrës. Ato ndihmojnë gjithashtu në neutralizimin e aciditetit të produkteve me orgjinë shtazore.

Kurimi i sëmundjeve

Por, përveçse perimet dhe frutat janë ushqim i nevojshëm për organizmin e shëndetshëm, duhet ditur se gjatë një sërë sëmundjeve të metabolizmit të metabolizmit, sistemit nervor etj, ato na paraqiten si një kurë mjaft e rëndësishme dhe e pazëvendësueshme. Ky veprim kurativ i tyre del në pah gjatë sëmundjeve që lidhen me mungesën e vitaminave që njihen here si avitaminoza (mungesë e një vitamine në organizëm) dhe here si hipovitaminoza (sasi e pamjaftueshme e një vitamine në organizëm) të cilat shtohen më tepër në stinën e dimrit dhe të pranverës së hershme.

Funksionimi normal i organizmit

Nga pikëpamja fiziologjike, frutat dhe perimet, në sajë të pranisë në to të një numri substancash specifike, ndihmojnë në funksionimin normal të organeve të ndryshme, duke ndihmuar në ruajtjen e një përbërjeje kimike konstante në organizëm. Perimet dhe frutat përmbajnë edhe një sere substancash me veprim antibakterial që ka mjaft rëndësi për organizmin e njeriut. Ndërkohë që rreziqet e arterosklerozës po bëhen gjithnjë e më kërcënuese, vëmendja e njeriut po përqendrohet ndaj atyre llojeve të ushqimeve që janë në gjendje të plotësojnë humbjet e të ruajnë rezervat energjetike me një minimum mbetjesh toksike. Në mënyrë të veçantë lëngu i tyre është një gjak i vërtetë bimor, i asimilueshëm lehtë për organizmin tonë. Lëngu i frutave dhe perimeve është një burim i fuqishëm energjetik, që sjell me vete vitamina, fermente ose enzima, aminoacide, lëndë minerale esenciale dhe mikroelemente të çmueshëm. Kur merret para ngrënies, lëngu i frutave dhe perimeve është aperitivi më i mire për shkak të veprimit nxitës që ushtron mbi prodhimin e lëngut të stomakut (lëngut gastrik).

Vlerat e disa frutave dhe perimeve që përdorim më shpesh në jetën tonë të përditshme

KARROTA: 

Vlera e karotave konsiston në një numër të madh përbërësish esencialë që ndihmojnë në rritjen dhe ushqyerjen e trupit tonë. Ajo është e pasur në beta-karotenin, i cili konvertohet në organizëm në vitaminën A. Ajo përmban gjithashtu vitaminë C, B, E dhe K. Është e pasur në kripëra minerale si magnez dhe kalium. Ka gjithashtu hekur, bakër, zink, kalcium, selenium, proteina, karbohidrate dhe biotinë. Çdo 100 gram karrota ka 0.6 gr proteina, 7.6 gr karbohidrate, 30 mg kalcium, 0.3 gr yndyra dhe 0.6 mg hekur. Beta-karoteni është një antioksidant i fuqishëm që konvertohet në vitaminë A, e cila është shumë e shëndetshme për sytë. Defiçiti në vitaminë A jep një dobësim të shikimit. Një gotë me lëng të freskët karrotash në ditë jep efekte shumë të mira kundër lodhjes dhe stresit.

DOMATJA: 

Një gotë lëng domatesh jo vetëm që ka një shije shumë të këndshme, por është dhe një ushqim i klasit të parë dhe një bar i sigurt. Ndonëse gabimisht futet në ushqimet acide, ajo është e pasur me substance alkaline, të cilat kalojnë të gjitha në lëng gjatë shtrydhjes. Prandaj ky lëng është antiacid, ai pengon proceset e kalbëzimit. Lëngu i saj përmban vitamina A, B dhe C, ul nivelin e uresë në gjak, ul viskozitetin e gjakut, rrit elasticitetin e enëve të gjakut dhe ushtron një veprim rigjenerues e ripërtëritës.

LAKRA:

Ndihmon në ripërtëritjen e gjakut dhe të qelizave. Edhe njerëzit që vuajnë nga zorrët dhe nuk e durojnë dot lakrën e zier, në lëngun e saj do të gjejnë një element mjaft të vlefshëm. Zierja, ndër të tjera, shkatërron një faktor mbrojtës të mukozave të tretjes, që gjendet te lakra dhe që është quajtur vitamina U. Lakra është shumë e pasur me klorofil. Fletët e gjelbra janë më të rëndësishme dhe ndihmojnë në formimin e hemoglobinës së rruazave të kuqe të gjakut. Veç kësaj lakra përmban sasi të mëdha kalciumi, squfuri, jodi, arseniku, magnez, kalium, vitamina A, B, C etj. Lëngu i lakrës ndihmon në nxjerrjen e urinës në sajë të një substance që vepron mbi përshkueshmërinë e enëve të gjakut.

MOLLA: 

Vlerat e saj ushqimore janë të padiskutueshme.

Ajo përmban një numër të madh kripërash minerale, vitamina e mikroelementë. Lëngu i mollës shërben si dezinfektues i zorrëve dhe tonizues i stomakut, në të njëjtën kohë është një burim energjie për organizmin. Me lëngun e freskët të mollëve ne marrim kalcium, kalium, oksid hekuri, magnez, klor e shumë përbërës të tjerë.

LIMONI: 

Në ditët e sotme kur sëmundjet e zemrës dhe të qarkullimit të gjakut kanë arritur shpeshtësinë më të madhe, lëngu i limonit është mjaft efikas. Ai është një substance pastruese e shkëlqyer, ai ul viskozitetin (trashësinë) e gjakut, e pastron atë si edhe forcon enët e gjakut dhe u jep atyre elasticitet. Për këtë arsye lëngu i limonit mund të hidhet mjaft mire në përzierje apo lëngje të tjera (lëng molle, karrote, etj).

MUSHMOLLA:

Është në të njëjtën kohë burim energjie dhe rregullatore e funksionit të zorrëve. Duke qenë e pasur në kripëra alkaline e në vitaminë B, ajo kontribuon në ushqyerjen e indeve dhe në rregullimin e ekuilibrit nervor.

Related posts

4 Faktorët kryesor që rrisin tensionin e gjakut

Kura energjike për tretjen dhe stomakun – Uthull molle, kanellë, xhenxhefil

Ky frut ka vlera të mëdha edhe kur e konsumoni të ngrirë!