5 qytete dhe fshatra “evropiane” që nuk janë në Evropë!

Nuk është e pazakontë që fshatrat e qytetet në Evropë të marrin pak frymëzim prej njëri-tjetrit. Në fund të fundit, shumë lëvizje arkitekturore gjatë shekujve të fundit kanë pasur origjinën pikërisht në këtë kontinent.

Ama, po sikur të hasni Kullën Eifel në Afrikën e Jugut? Apo një shëtitore italiane në Kinë? Do të mbeteshit disi të shtangur sigurisht.

Këto janë 5 shembuj marramendës të disa vendeve nëpër botë që kanë përqafuar pamjen dhe ndjeshmërinë evropiane.

Fshati Normandy, San Francisko, SHBA

Shtëpitë në Normandy Village, janë aq të lakmueshme sa që apartamenti i fundit i publikuar në treg kërkonte mbi gjysmë milionë dollarësh në vitin 2019.

Ky vend në veçanti u bë viral në Twitter për pamjen e tij si të shkëputur nga një libër përrallash. Mjafton t’i hidhni vetëm një sy dhe do të bindeni se jeni në setin e një filmi të Disney – kolibet me çati të thurura kanë një sharm të padiskutueshëm.

Në vitin 1920, Kalifornia pati një lidhje të shkurtër romanike me arkitekturën Normane dhe ky thesar i izoluar është rezultati. Është vërtetë e çuditshme të mendosh se ky fshat fshihet vetëm disa rrugica larg zhurmës dhe aktivitetit të gjirit të San Francisko-s.

Parisi i vogël, Afrikë e Jugut

I gjendur në qytetin Hartsbeespoort, për Afrikanët jugorë që nuk duan të bëjnë një fluturim që zgjatë 15 orë, Little Paris është një ujdi mjaft e mirë. Shpesh herë përshkruhet si një destinacion romanik për ata që duan të provojnë shijen e kryeqytetit francez në çdo lloj kuptimi të fjalës.

Little Paris ofron një restorant dhe kafene ku mund të provoni tost francez, ëmbëlsira dhe të famshmen filet mignon përveç shumë të tjerave.

Kjo zonë përmban edhe një kopje të jashtëzakonshme të Pont de Arts të Parisit, urës së famshme që kalon mbi lumin e Sienës, ku të dashuruarit vendosin kyçe me emrat e tyre. Sidoqoftë, kopja e Kullës Eifel mbetet atraksioni kryesor dhe një mundësi interesante për të shkrepur foton perfekte në këtë monument që ka bërë një punë mjaft mbresëlënëse në kopjimin e veprës origjinale në Paris.

Guanajuato, Meksikë

Një shtëpi në Guanajato, Meksikë që të kujton Mesdheun. © Jose Bolanos

Rajoni Guanajato në Meksikë përfshin një sipërfaqe prej 30,000 kmqë ju bëjnë të ndjeheni sikur po shihni një bashkim stilesh të ndryshme të arkitekturës evropiane, që janë po aq magjepsëse saç janë edhe konfuze.

Shumë prej shtëpizave shumëngjyrëshe mbi kodrat që rrethojnë terrenin nuk duken shumë ndryshe nga një vend diku në Mesdhe – por ato i bëjnë kontrast strukturave të tjera të ndërtuara fare pranë, që kanë marrë inspirim nga vende të tjera përtej Atlantikut. Famullia e Shën Mikeles është ndërtuar duke marrë inspirim prej kartolinave të katedraleve Gotike evropiane të ndërtuara në shekullin e 19-të. Spiralet dhe kornizat elegante janë një realizim vërtetë i shkëlqyer.

Por si ndodhi e gjithë kjo? Në shekullin e 19-të, shumë prej ndërtesave meksikane të stilit Barok u zëvendësuan nga pjesë Neoklasike, më së shumti ndërtesa fetare. Kjo i dha shumë zonave një hije veçanërisht italiane ose franceze, në varësi të atij që ka qenë i përgjegjshëm për ndërtimin.

Melburn, Australi

Stili viktorian në Melburn, Australi. ©Fabian Mardi

Qyteti i dytë më i populluar në Australi, prej kohësh është shquar për mos-pasjen e një ‘pamjeje’ të vetme si pasojë e rrënjëve të tij të thella koloniale.

E sidoqoftë, me siguri do të habiteshit nëse zbuloni se shumë prej arkitekturës Viktoriane të ndërtuar këtu dikur, gjendet krah për krah me qiellgërvishtësit e frymëzuar nga SHBA që duket sikur prekin qiejt e Melburnit. Gjithashtu këtu do të gjeni edhe një numër paradash që janë të njohura për këdo që ka shpenzuar një ditë të vetme duke bërë pazar në një fshat anglez.

Madje edhe bregdeti i periferisë së Brighton, Victoria është plot me kabina plazhi që nuk janë aspak të ndryshme nga ato që mund të shihen kudo në bregdetin shumëngjyrësh britanik.

Fshati Fjorentin, Kinë

Kina ka treguar nivele të ndryshme suksesi përmes historisë së saj interesante të rikrijimit të destinacioneve evropiane. Disa – si Thames Town në Shangai – nuk kanë prodhuar ndonjë interes të veçantë. Ama Florentia Village ka bërë një punë shumë më të mirë dhe tani mund të gjendet në 7 lokacione të ndryshme në të gjithë Kinën.

Florentia Village nuk është aq fshat saç është një seri pikash shitjeje për firmat më të njohura të modës. Çdo pikë është ndërtuar me qëllim që të evokojë një distrikt klasik italian, përveç degës së Hong Kong-ut që ka një ndjesi karakteristike futuristike.

Vizitorët këtu blejnë Gucci, Burberry dhe Prada në një sfond vitrinash elegante me nuanca pastel. Këtu do të gjeni edhe ushqim të inspiruar nga shtete te ndryshme evropiane.

Related posts

Lëkundje tërmeti në Greqi/ Ja ku ishte epiqendra

Nuk gjen qetësi Greqia! Goditet sërish nga një tjetër tërmet i fortë, ja ku ishte epiqendra

Ja sa herë në javë duhet të lani flokët gjatë verës