Përfitoni nga vetitë e përbërësve natyralë: miell, kos, bajame, mjaltë dhe produkte sezonale si kungulli, të cilët janë aleatë të çmuar për të ushqyer lëkurën e fytyrës dhe për t’i dhënë asaj shkëlqim.
Këtu janë disa këshilla për të mbrojtur lëkurën nga agresioni i dimrit me receta bukurie të bëra vetë.
Për ushqim të thellë: përbërjet e bazuara në mjaltë, kos dhe qumësht janë perfekte për të bërë maska ushqyese për fytyrën, por edhe për pjesët më të thata të trupit, siç janë bërrylat. Për një efekt qetësues, thjesht shtoni disa pika vaj vegjetal në përzierje: vajrat e avokados, borazës ose calendula janë në gjendje të ushqejnë thellësisht lëkurën, duke zvogëluar rrudhat dhe inflamacionin. Të mos harrojmë se vajrat vegjetal absorbohen më shumë kur lëkura është e lagur, prandaj është më mirë t’i nënshtroheni trajtimit të bukurisë në dush ose para se të zhyteni në një vaskë me ujë të nxehtë.
Për të ndriçuar dhe pastruar: për t’u mbushur me beta -karoten, një aleat i vërtetë kundër stresit oksidativ, ne i drejtohemi kungullit, simboli i perimeve të vjeshtës. Nxirrni tulin e kungullit ku duhet të shtohen disa lugë vaj vegjetal dhe përziejeni derisa të merret një krem i trashë, që më pas duhet të përhapet në mënyrë të barabartë në fytyrë. Ky përbërës është perfekt për pastrimin e epidermës dhe ndriçimin e fytyrës. Këshilla e zgjuar? Farat e copëtuara të kungullit janë të shkëlqyera për një pastrim natyral: me shtimin e një vaji esencial, thjesht masazhoni butësisht lëkurën dhe pas disa minutash shpëlajeni me ujë të ngrohtë.
Për të detoksifikuar dhe rigjallëruar: gjetja e butësisë natyrore të lëkurës nuk është e vështirë. Le të bëjmë një inspektim në qilar dhe të pajisemi me qiqër, bajame ose miell tërshëre për të pastruar butësisht lëkurën. Falë vetive të saj të shumta, tërshëra qetëson inflamacionin dhe është gjithashtu e përshtatshme për lëkurën e të vegjëlve. Në këtë stinë mund të përfitojmë edhe gështenja, aleat i vërtetë i bukurisë. Në fakt, ekstrakti i gështenjës ndihmon në përmirësimin e hidratimit të lëkurës dhe riparimin e dëmtimeve të shkaktuara nga rrezet ultraviolet, ndërsa vitamina C është e dobishme për prodhimin e kolagjenit, thelbësore për të siguruar elasticitetin e lëkurës.
Për një detoksifikim të ëmbël dhe aromatik: erëzat, përveçse janë të çmuara për aromatizimin e gatimeve dhe për të na ndihmuar në dietë, mund të jenë shoqe të shkëlqyera bukurie. Për shembull, kanella, e cila nuk duhet të mungojë kurrë në kuzhinë, zvogëlon nivelin e sheqerit në gjak dhe favorizon përdorimin e depozitave të yndyrës. Është e dobishme kundër inflamacioneve të lëkurës dhe është një aleat për ata me lëkurë të kombinuar ose të yndyrshme, sepse lufton puçrrat dhe pikat e zeza. Falë aromës së saj të fortë, vetive antibakteriale dhe anti-inflamatore, përdorimi i kanellës është një trajtim pak i ëmbël për lëkurën: shtoni majën e një lugë çaji në një tas me kos, mjaltë dhe vaj vegjetal; masën e përftuar masazhojeni butësisht në lëkurë dhe lëreni për rreth çerek ore para se ta shpëlani me ujë të ngrohtë.
Për tu mbrojtur nga i ftohti: mjalti është i çmuar kundër sëmundjeve të stinës, por është gjithashtu një ilaç delikat për të riparuar lëkurën në rast të prerjeve dhe çarjeve, si dhe të ketë veti antibakteriale. Mjalti është ideal kur ditët ftohen, sepse i jep lehtësim të menjëhershëm lëkurës nëse është e kuqe dhe e stresuar për shkak të agjentëve atmosferikë. Për një maskë efektive për fytyrën, hidhni disa lugë mjaltë në një tas në të cilin do të shtoni qumësht ose kos aq sa për të tretur përzierjen dhe përhapeni në fytyrë. Për një pastrim natyral shumë të ëmbël, mund të shtojmë disa lugë kokos të grirë: një ëmbëlsirë e vërtetë.