2 korrik 1990 – 2 korrik 2023/ Historia që shënoi rrëzimin e regjimit komunist…

Data 2 korrik e vitit 1990, shënon hynë e mijëra shqiptarëve në territoret e ambasadave të huaja në Shqipëri në kërkim të lirisë së munguar prej 5 dekadash. Kjo ngjarje është konsideruar si rënia e “Murit të Berlinit” në Tiranë, që më pas do të sillte dhe zhvillime të tjera për të kulmuar në dhjetor të vitit 1990 me lëvizjen studentore.

Ishte padyshim një matje pulsi për ngjarjet e ardhshme. Kështu ndodhi që më dy korrik 1990 pothuajse të gjitha ambasadat e huaja në Tiranë të çelnin dyert e tyre për ata që donin të iknin nga Shqipëria. Si ndodhi kjo? Si mund të flakej brenda një nate frika gati dyzetë e pesëvjeçare se arratisja ishte tradhti, dhe tradhtia ishte një jetë e mjeruar edhe për ata që mbeteshin pas? Dihet konstitucioni ndërkombëtar i territoreve të ambasadave. Ato janë shtete brenda shteteve dhe cenimi i territoreve të tyre konsiderohet si cenim kufijsh. Por për çudi, asnjë ambasador i akredituar në Tiranë, të cilit i qe “dhunuar” territori kombëtar, nuk bëri ankesë pranë qeverisë shqiptare për marrjen e masave në mbrojtje të ambasadave.

Përkundrazi. Ambasadori gjerman mori në mbrojtje të “plagosurit” rebelë, pa pranuar që ata t’i dorëzoheshin drejtësisë shqiptare. Ditët e ambasadave gjithashtu do të kërkojnë analiza më të thella me zbulim dokumentesh të fshehta. Por ngjarjet që pasuan më pas, sidomos skenat e ngjashme si në Kubë, etj…tregonin se skenat e ambasadave, (dikush preferoi të prishte dhe murin e jashtëm dhe me një ‘Skodë” të vjetër të fuste me dhjetëra veta brenda), ishin inskenuar më parë. Pavarësisht se nga mjetet qeveritare shqiptare të asaj kohe, këto u quajtën mësymje të ”bandave huligane”, në të vërtetë, sasia e madhe e njerëzve që hynë në ambasadat e huaja atë korrik të vitit 1900 ishte e tillë, që ky term komunist binte vetiu.

Kush ishin organizatorët, apo nismëtarët?!

Ato ditë në ambasadat e ndryshme hynë e dolën së andejmi të mposhtur nga lotët e nënave nëpër kangjellat e ambasadave), 4795 vetë. Nga këta për në Gjermani shkuan 3163 vetë, në Itali 816, në Francë 549, për në Turqi 77, për në Poloni 52, për në Çekosllovaki 51, për në Jugosllavi 6, për në Egjipt 6, për në Bullgari 5 etj. Më pas shumë prej tyre, sidomos atë të vendeve lindore, do të mërgonin drejt SHBA, Kanadasë, Australisë e gjetkë. Të dhënat e fundit tregojnë se shqiptarët kanë mbërritur edhe në Iran, Zelandën e re, e Argjentinë. Ajo që bie në sy, është numri relativisht i vogël i atyre që hynë në ambasadën greke. Çfarë ka penguar vallë atë kohë për ta injoruar një vend të TPE si fqinji ynë jugor, e të preferohej më tepër Polonia, Çekosllovakia e Hungaria? Mos vallë në vallen e ambasadave u përfshinë më shumë qytetarë nga Shqipëria e Mesme dhe Veriu i vendit, të cilët, tradicionalisht, nuk i shihnin grekët si mikpritës? Këto raporte do të përmbyseshin më pas, për shkak të zhvillimeve ndërkombëtare…

Cilat ishin ambasadat në Tiranë në atë kohë?!

Në Tiranë, në vitin 1990 ishin të vendosura vetëm 17 përfaqësi diplomatike, 4 përfaqësi tregtare, si dhe 5 rezidenca e 4 pallate banimi, por vetëm 3 prej tyre ishin ambasada perëndimore: RFGJ-ja, Italia, Franca, Greqia, Jugosllavia, Çekosllovakia, Rumania, Turqia, Polonia, RDGJ-ja, Hungaria, Bullgaria, Vietnami, Kuba, Kina, Koreja e Veriut, Algjeria, Ambasadori arab. Pasi popullsia u dynd në ambasada të huaja dhe regjimi nuk mund ta përballonte fluksin, ato u lanë hapur për disa ditë. Lëshimi i situatës ndodhi për pak ditë, aq sa mund të krijonte mbushjen e menjëhershme të hapësirave të ambasadave. Pas dyndjes në ambasadat e huaja, në bisedim me të dërguarin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, regjimi u detyrua të lejonte grupin e madh të personave të dilte jashtë shtetit me statusin e kërkuesit të strehimit politik. Nëse zgjateshin ditët më shumë, të mund të kishim shpërthim epidemish, vdekje të më të dobëtëve, vdekje fëmijësh, etj. Nëse këto do ndodhnin, regjimi nuk kishte ku ka çonte revoltën e pallogaritshme që mund të shpërthente. Për pasojë, Presidiumi i Kuvendit Popullor, nën direktivat e Ramiz Alisë, nxori dekretin përkatës që normonte rregullimin e kësaj gjendjeje. Në zemër të Tiranës ishin afërsisht 5 mijë persona që dashje pa dashje mund të bënin figurë publike qoftë edhe me largim pasiv. Po për të shmangur çdo problem, regjimi përgatiti largimin e tyre në orët e vona të natës. Dhjetëra autobusë me në krye e në fund makina të policisë, i ngjanin një kortezhi mortor. Askush nga ata që ishin brenda atyre autobusëve, në zymtësinë e asaj mbrëmje korriku, priste me ankth fundin e kësaj historie. Qëndrimi në ambasada zgjati 11 ditë për ata që hynë në datën 2 korrik e diçka më pak për të tjerët që hynë ditët në vijim. Pas bisedimesh midis përfaqësuesve të regjimit dhe të dërguarit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, u vendos largimi i tyre, i pjesës më antikomuniste të vendit, në shtetet perëndimore.

Çfarë fshihej pas 2 korrikut?
Për 2 korrikun ishin të interesuar mjaft segmente, jashtë dhe brenda vendit. Kishte nga ata që kërkonin përmbysjen e regjimit dhe që kishin qenë beniaminë të njohur të partisë-shtet, të cilët me intuitën e tyre po e shikonin se atij shteti “po i binin patkonjtë dhe tashmë donin të përvetësonin flamurin e antikomunizmit, duke harruar se kishin qenë komunistët më sektarë e ndër më të privilegjuarit. Për 2 Korrikun ishte e interesuar, veçanërisht, UDB-ja jugosllave, e cila si gjithmonë, kur acarohej situata në Kosovë, kurdiste ngjarje dhe incidente në Shqipëri. 2 korriku i Kaçanikut, jo rastësisht koincidonte me 2 korrikun e ambasadave në Tiranë. Të gjitha segmentet e interesuara, duke ditur se ambasadat janë pikat më të nxehta dhe krijimi i incidenteve ndaj tyre, krijon situata ndërshtetërore nga më të rëndat, sa për përputhje interesash, aq edhe për llogari të veta, u bënë nxitësit kryesorë për dyndjen drejt ambasadave. Ngjarja e 2 korrikut 1990, megjithëse mori karakter kombëtar e ndërkombëtar, nuk u analizua as nga sektorët përkatës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe as nga Drejtoria e Policisë, që mbajti barrën kryesore për parandalimin e pasojave të paparashikuara. Pra, nuk u bë. Pse? Vështirë është që të gjesh psenë e saj. Por, analiza profesionale e asaj ngjarjeje do të evidentonte shkaqet e vërteta, të cilat do të shërbenin jo vetëm për përvojën e policisë, por edhe për pasqyrimin me objektivitet të së vërtetës para opinionit që të mos u linte shteg dashakeqëve të keqinterpretonin dhe të disinformonin brenda dhe jashtë vendit. Sidoqoftë kishte rënë një Mur i ri i Berlinit…Më pas do të shkuleshin me egërsi gjithfarë telash me gjemba dhe klonet elektrike të vendosura midis kufirit shqiptaro- grek. Përse ndodhi kështu?

Related posts

Mbi 20 persona përfundojnë në spital/ Ja çfarë ndodhi papritur në Bulqizë

E RËNDË! Po lahej në liqenin e Kukësit, humb jetën i moshuari

Ja sa herë në javë duhet të lani flokët gjatë verës