10 minuta ndeshje, ja si degjeneroi në dhunë miqësorja Turbina-Dinamo

Ndodh që një ndeshje miqësore të ndërpritet për shumë arsye, edhe për lojë të rëndë, por që të zgjatë vetëm 10 minuta, ndoshta vetëm në Shqipëri ndodh. Një situatë krejtësisht absurde ajo e së shtunës pasdite në stadiumin e Cërrikut “Nexhip Trungu”, ku miqësorja e shumëpritur mes Turbinës vendëse dhe Dinamos zgjati vetëm 10 minuta. Dhe të mendosh që deri në këtë moment ishte ndërprerë tri herë ndeshja për lojë të ashpër.

FANELLAT

Po çfarë ndodhi konkretisht në Cërrik? Para nisjes së ndeshjes u shfaq një problem i vogël me fanellat. Arbitrat nga Elbasani nuk ishin dakord që dy skuadrat të luanin me fanellat e tyre, pasi kishin ngjashmëri. Turbina e ka uniformën të verdhë me të bardhë, kurse Dinamo kishte fanellat e bardha dhe ato të bardha me blu. Që në këtë moment atmosfera u prish disi. Gjithsesi, miqtë dinamovitë veshën jelekët jeshilë dhe ndeshja nisi.

SHERRI

Loja nisi e ashpër, me shumë ndërhyrje të rënda, sidomos nga brazilianët e ekipit vendës, edhe pse ishte thjesht një miqësore. Stafet e dy skuadrave dhe arbitrat ndalën lojën në një moment dhe kërkuan qetësi nga lojtarët me anë të kapitenëve të tyre. Por nuk ishte e thënë, loja vazhdoi po ashtu dhe më pas pati acarime mes lojtarëve dhe dy trajnerëve të portierëve, Mario Bytyçit të Dinamos dhe Bledar Malajt të Turbinës. Pati edhe sharje e fyerje mes lojtarëve dhe pastaj përplasje fizike. Një situatë kaotike që zgjati për pak minuta dhe ku u përfshinë të gjithë. Drejtuesit blu e udhëzuan skuadrën të futej në dhomat e zhveshjes, ndërsa cërrikasit qëndruan në fushë bashkë me trajnerin Troisi, por Dinamo nuk doli më dhe këtu ndeshja përfundoi. Nga ana e cërrikasve akuzohen dinamovitët si provokatorë dhe prishës të kësaj ndeshjeje. Dështon kështu një ndeshje, ku trajnerët humbën mundësinë për të parë gjendjen e skuadrave para nisjes së kampionatit. Turbina dhe Dinamo nuk kanë ndonjë inat të mbartur, pasi sezonin e fundit nuk ishin në të njëjtin grup.

Related posts

Teuta e nis sezonin me rinovime, dy titullarët pjesë e skuadrës edhe për një sezon

AF Elbasani gjen menjëherë zëvendësuesin e Nevil Dedes, pritet firma me trajnerin e njohur

Filip Najdovski bën prapakthehu, mbrojtësi hedh firmën mbi kontratë (FOTO)